Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar kolapsin në procesin zgjedhor, pasi drejtuesit e administrës publike nuk po lejojnë komisionerët të bëjnë punën e tyre.
Në një dalje për mediat, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj shprehu shqetësimin për komisionerët që janë në marrëdhënie punë.
Ajo u bëri apel drejtuesve të Administratave Publike të lejojnë komisionerët në punën e tyre, pasi angazhim në KZAZ nuk konsiderohet për qëllime elektorale.
Deklarata e KQZ
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për pengesat që i po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Ashtu si në Kodin Zgjedhor edhe në VKM nr. 473 të datës 1.06.2017, angazhimin si komisionerë të KZAZ-ve, KQV-ve apo GNV-ve, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por e konsideron vetëm si një angazhim administrativ.
Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat në dhënien e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje.
Vonesa e këtyre përgjigjeve, mos dhënia e lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor.
Mos respektimi i qoftë dhe një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve.
Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërorë duhet të jenë përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë.
Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe GNV-ve, procesi zgjedhor rrezikon të futet në kolaps.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të administratës publike, që të reagojnë menjëherë pas këtij apeli të KQZ-së, dhe të mos krijojnë pengesa artificiale të cilat cënojnë procesin zgjedhor.
Marre nga mapo.al