Maqedoni, ministri i ri pezullon 23 drejtues policie për dhunën në Kuvend

Ministri i ri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Maqedonisë, Oliver Spasovski njoftoi të enjten për pezullimin nga puna të 23 oficerëve të lartë të policisë për shkak të dyshimeve mbi rolin e tyre në ngjarjet e dhunshme në Parlament, më 27 prill.

Një grup pune në Ministrinë e Rendit ka përgatitur një raport mbi ngjarjet e 27 prillit dhe ka gjetur se ka patur shkelje të ligjit për policinë.

Sipas raportit, policia ka dështuar në kryerjen e detyrës për shkak të ndikimit politik.

Dokumenti le të kuptohet se gjatë këtyre ngjarjeve policia nuk ka respektuar procedurat,  ka munguar komanda për organizimin e njësiteve policore, nuk ka pasur përgjegjësi të përcaktuar, kanë munguar njoftimet operative të shërbimeve, shtabi operativ nuk e ka vlerësuar situatën, plani i skenarëve për neutralizim nuk është aktivizuar dhe se policia është penguar nga disa deputetë për mbylljen e dyerve të Parlamentit.

Spasovski nuk i bëri publikë emrat e oficerëve të pezulluar të policisë për shkak të natyrës së klasifikuar të raportit, që do t’i dorëzohet Prokurorisë Publike.

Deri tani, kjo e fundit nuk ka marrë në pyetje asnjë prej zyrtarëve të lartë të policisë të dyshuar për dështimin e mbrojtjes së Parlamentit dhe ligjvënësve dhe as vetë deputetët e VMRO-së, për të cilët janë publikuar video duke hapur dyert e Parlamentit që të hynte turma e sulmuesve.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply