Frederik Stamati
Në vitin 1980 Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, pranë Institutit të Kulturës Popullore iu vu detyrë trajtimi konservues i objekteve që do të ekspozoheshin në muze. Nga kjo detyrë u përjashtuan armët e Luftës Nacional-Çlirimtare, që do të trajtoheshin në Ofiçinën e artilerisë. Objektet për ekspozim u morën nga institucione të ndryshme, si nga Instituti i historisë ato etnografike, objektet arkeologjike nga Qendra Arkeologjike dhe muzeumet në varësi të saj, armët nga Muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe shumë objekte të tjerë nga muzeumet e rretheve. IMK kontribuoi me tre, apo gjashtë ikona, si dhe me dyert e bukura të kishës së Leusës.
Seleksionimi i parë për punën që do të kryhej u bë për objektet që do të merreshin të gatshëm nga Muzeu Arkeologjik, ose direct nga ekspozimi, ose ata që ishin të restauruar në ruajtje në fonde. Nuk do të flasim për nivelin e punës. Restaurimet arkeologjike vinin nga eksperienca e pakët e viteve përpara 1960. Për trajtimin e objekteve etnografike kishim një eksperiencë edhe më të munguar. Ndërsa për objektet e tjera, si tekstilet e vona të prodhuara nga industria, apo për veglat industrial, eksperienca mungonte plotësisht. Por një hendek i madh midis atyre që kishim lexuar dhe mundësisë së zbatimit të metodave bashkëkohore ishte mungesa e bazës material. E shikonim si një ëndërr! Dy objektiva i vumë vetes: E para, studimi, eksperimentimi dhe zbatimi i teknikave të panjohura nga ne në trajtimin e objekteve muzeale dhe e dyta, sigurimi i bazës material.
Të dyja këto objektiva ecën paralelisht me kryerjen e punës. Dhe nga kjo pikëpamje duhet të themi së trashëgimia kulturore materiale e vendit tonë përfitoi shumë. Përfitoi, sepse për herë të parë u hap rruga për të blerë material special për restaurim. E kjo pastaj u zbatua në vazhdimësi, duke e ngritur punën në nivele të larta , madje edhe në nivele më të larta të arritura në Europë. Përfitoi se me njohuritë e marra dhe me zbatimin e tyre, u hap një horizont i paanë për punën konservuese të laboratorit tonë, e cila do të aplikohej më tej edhe në punën për përgatitjen e muzeumeve të tjerë të artit mesjetar të Korçës, Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Apollonisë, të Muzeut Gjergj Kastrioti të Krujës, e të një numri të madh ekspozitash Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë kuptim duhet thënë se puna për trajtimin e objekteve të Muzeut Kombëtar ishte një shkollë. Puna u krye në laboratorin tonë, të instaluar në atë kohë në ndërtesën e Muzeut Arkeologjik-Etnografik. Ndërsa puna për skulpturat u krye në sallën e ekspozitave pranë Teatrit Popullor. Unë kam punuar një vit e gjysmë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 11-12 të natës. Drekën e merrja me vete në laborator. Në atë kohë nuk kishte të shtuna, pork am punuar edhe të dielave. Për festa, as që bëhej fjalë.
Problemet e dikurshme
A kishte një renditje, një organizim, apo një planifikim të punës? Jo! Puna u krye në varësi të ardhjes së objekteve, zgjedhjes së problemeve teknike dhe sigurimit të bazës material. Mund të bëjmë një klasifikim për problemet me të cilat u ndeshëm dhe i zgjidhëm. Veçantia në përdorimin ndaj objekteve etnografike qëndronte në komplesicitetin e përbërjes së tyre, në bazë të materialeve të përdorura për ndërtimin e objektit. Vetëm gjashtë vjet më parë kishim dështuar në trajtimin e objekteve metalike, sidomos armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit, të cilat i dërguam në ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”, të hapur në Paris në vitin 1974. Gjatë përpjekjeve për restaurimin e veglave kirurgjikale, plotësisht të ndryshkura të spitaleve partizane, menduam të realizonim veshjen e tyre galvanike në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës. Rezultati ishte absurd për një muze dhe absolutisht i papranueshëm. Atëherë aplikuam në laboratorin tonë, duke arritur një rezultat të nivelit tejet të lartë.
Sa i takon trajtimit të objekteve prej guri dhe mermeri pa atakuar patinën, u “rifreskuan” objektet e trajtuar më parë dhe u trajtuan objekte të zbulimeve të fundit të patrajtuara. Mbi problemin e mjedisit, në bazë të matjeve të kryera nga Instituti i Higjenës, qendra e Tiranës kishte një ndotje të madhe atmosferike rreth pesë herë më të lartë nga maksimalja e ndotjes së pranuar nga muzeumet. Kjo vinte nga makinat, përdorimi i qymyrgurit dhe vajgurit për ngrohje, si dhe nga industria. Edhe prania e pluhurave nuk ishte e vogël. Kjo ishte një nga çështjet me të cilën do të përballeshin objektet e muzeut. Përsa i përket lagështisë relative dhe temperaturës ishte menduar një zgjedhje jo shkencore, pa asnjë studim, e bazuar në literaturën e viteve 30’ të shek XX, të cilat bazohen të personi dhe jo tek konservimi i objekteve, duke ngrohur sallat e muzeut me radiator, pra pa një temperaturë të studiuar për muzeumet dhe aq më keq në ndikimin që do të kishte kjo në lagështinë relative. Kështu muzeu po ndërtohej pa parametrat teknologjikë. Dihet se muzeu është një makinë vigane që punon për ruajtjen e objekteve. Në këtë kuadër përfshihet edhe ndriçimi i dukshëm nga rrezatimi UV. Kështu, muzeu ishte jashtë parametrave shkencore dhe të gjithë objektet do të vuanin në varësi të përbërjes së tyre dhe pozicionit të vendosjes në muze. Do të ndodhte ajo që ndodhi në Galerinë e Arteve, ku u detyruam të ndërprisnim punën e kaldajave. Por një system i tillë ishte menduar edhe për MHK. U desh ndërhyrja ime që kjo çështje të rregullohej, ndoshta jo plotësisht. Në këtë skuadër u shtrua edhe çështja e vitrinave, ku një pjesë e mirë e objekteve etnografike u ekspozuan jashtë vitrinave dhe pasojat tashmë janë katastrofike për ato objekte. Atëherë u tha se nuk kishte kohë dhe se vitrinat do të bëheshin mbas inagurimit. Nuk u bënë kurrë. Njëkohësisht kjo vuri në dukje edhe mungesën e filtrave të absorbimit me një veprim të papranueshëm të gazit sulfhidrik, të dukshëm në objekte prej argjendi dhe me një veprim të fshehtë në të gjithë objektet e tjerë të muzeut.
Si është situata sot?
Plotësisht jashtë kontrollit teknologjik. Për disa arsye. Sistemi i ajrit të kondicionuar nuk funksionon. Klima në muze është fare jashtë kontrollit me parametra të shpërfytyruar të lagështisë relative, të temperaturës, të ndotjes atmosferike, të ndotjes nga pluhurat, të ndriçimit të dukshëm dhe të rrezatimit UV. Në këtë gjendje objektet e muzeut janë në degradim, ku më shpejt e ku më ngadalë. Madje është e pakuptueshme dhe plotësisht absurd se përse është nxjerrë nga puna sistemi i ajrit të kondicionuar dhe zëvendësuar me sisteme të tjera, për të cilat askush nuk të shpjegon se çfarë do të realizojnë. Me eksperiencën time më duket i pastudiuar shkencërisht dhe nuk do të zgjidhi problemet e konservimit, pra atë të ruajtjes së objekteve. Një absurditet i paparë kudo në botë është edhe planifikimi i ekspozimit jashtë vitrinave të objekteve prej tekstili në Pavijonin e Etnografisë. Që tani duhet ti themi “Ndal”! Ndaj asnjë mënyre ekspozimi që do të shkatërrojë qindra objekte tekstili të trashëgimisë tonë kulturore, me pasoja absolutisht të pariparueshme. Shembujt më të dhimbshëm i kemi në objektet e MHK, të cilët dikur u ekspozuam në shesh. Për MHK del detyrë urgjente e kualifikimit të personelit të muzeut me problemet e konservimit dhe se si duhet të veprojnë ata, që pa dashje të mos u shkaktojnë dëme objekteve. Për muzeun del domosdoshmëri rivënia në punë e laboratorit. Që të rivihet në punë kërkon një fond prej rreth 500.000 lekësh.
(Marrë nga Gazeta Shqiptare)