Dy përvjetorë për të mos harruar gjuhën shqipe dhe arsimin në gjuhën amtare

12 Tetori e gjeti Strugën më shqiptare se kurrë.

25 vjet më parë, shqiptarëve të Strugës, dikush deshi t’iu fik dritën e arsimit shqip, por ajo u ndez në Ladorisht. Nuk mund të mbyllet aq lehtë rruga e të mësuarit në gjuhën amtare.

Me një sërë ceremonish u përkujtua 25 vjetori i gjimnazit “Hajdar Dushi” dhe 10 vjetori i shkollës “Ibrahim Temo”.

Me ftesë të kryetarit të komunës Strugë z. Ziadin Sela dhe të z. Xhemi Hajredini, Udhëheqës i Departamentit për Veprimtari Publike (Arsim, Kulturë, Sport…), Presidenti i  Nderit të QMKSH-së z. Shpëtim Sala, mori pjesë në ceremonitë e mbajtura.

Gjimnazi “Hajdar Dushi” u çel në tetor të vitit 1991, në kushtet e një represioni të rëndë sllavo-maqedonas mbi popullsinë shqiptare. Në një kohë ku të drejtat u nëpërkëmbeshin, kjo vatër e zjarrtë e arsimit shqip i dha krahë aspiratës shekullore të shqiptarëve për t’i shkolluar fëmijët në gjuhën shqipe.

Qoftë kur u themelua Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Ladorisht, para 25 viteve qoftë kur u themelua Gjimnazi “Dr, Ibrahim Temo” – para 10 viteve, popullata shumicë (shqiptarët) i mbështeti fuqishëm këto nisma që kishin për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e proçesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe në qytetin buzdrinas.

Dhjetra qytetarë, nxënës, mësues, e veteranë të arsimit morën pjesë në ceremonitë e mbajtura me këtë rast. Kishte përfaqësues të pushtetit lokal dhe  komunitetit fetar. Nuk munguan pasardhësit, nipi e mbesa e Ibrahaim Temos,  Ivzi dhe Lumturi Rizvani.

Emrin “Hajdar Dushi” e mban edhe shkolla e drejtuar prej z. Bedri Cahani në Gjakovë. Z.Shpëtim Sala, i dhuroi librin e tij  “Ibrahim Temo në fondet e AQSH” drejtorit të shkollës “Ibrahim Temo” z.Xheladin Muça në Strugë. Në fjalën e rastit të mbajtur në aktivitet, z.Sala solli në vëmëndje kontributin e çmuar të  dr. Ibrahim Temos në krijimin e Klubeve Patriotike dhe në hapjen e shkollës së parë shqipe në Strugë. Programi artistik i pregatitur me aq dëshirë nga nxënësit e shkollës pasoi aktivitetin, e më pas qytetin e mbuloi mbrëmja. Të mbledhur në Hotel “Drini”, të pranishmit i përshëndeti znj. Lumturi Rizvani. Kryetari i komunës së Strugës, Myftiu i qytetit, Ef. Salim Sulejmani, e shumë figura të tjera nderuan këtë ngjarje të shënuar.

Nga Tirana vlerësimi për mikpritjen e respektin shkon posaçërisht për z. Xhemi Hajredini. Si nje shqiptar i vërtetë ai u kujdes që në Strugë ne të ndiheshim si në shtëpinë tonë.

Leave a Reply